KONTRIBUT I VYER NË MARRËDHËNIET SHQPTARO-TURKE! Dr. Jorgji Kote
Ashtu siç ishte paralajmëruar, me ftesë të Kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, më 3 – 5 Qershor Presidenti i Republikës Ilir Meta bëri një vizitë zyrtare në Stamboll. Kjo vizite pati një axhendë të trefishtë. Krahas takimit me mikpritësin më të lartë të Stambollit, Presidenti Meta u prit dhe nga Lideri i Opozitës së Bashkuar turke, Kemal Kiliçdaroglu dhe Kryetari i Bashkisë së Meltepes, Ali Kilic. Gjithashtu, ai foli në Forumin tradicional ekonomik të Maltepes mbi perspektivën europiane të Ballkanit Perendimor. Me shumë jehonë ishte dhe takimi i tij me përfaqësues dinjitozë të diasporës shqiptare në Turqi, ku nderoi me medalje personalitete të shquara të saj dhe dashamirës turq.
Rikujtojmë se në Prill të këtij viti Meta kishte mirëpritur në Tiranë Kryetarin e Bashkisë së Maltepes, zotin Ali Kilic, pas mesazheve miqësore me liderin e opozitës së bashkuar turke.
Siç shihet, vizita e mësipërme nuk ishte thjesht për kortezi, por veprimtari pune dhe miqësore me mesazhe domethënëse, duke përfshirë dhe praninë në Forumin Ekonomik të Maltepes; në këtë qytet perlë turistike dhe universitare, me gati 500.000 banorë, i cili ndodhet në pjesën aziatike të Stambollit, sapo kalon Urën e famshme të Bosforit. Atë e drejton atë qysh nga viti 2014 Ali Kilic, personalitet me mjaft popullaritet dhe i rizgjedhur në vitin 2019 me 52 për qind të votave nga 49 për qind 5 vite më parë.
Takimi me shumë rëndësi ishte ai me Kemal Kilicdaroglu, liderin e Partisë Popullore Republikane Turke (CHP); forca politike e dyta më e madhe me 135 nga 600 deputetë në Parlamentin turk dhe që ka në dorë shumicën dërmuese të bashkive të mëdha në gjithë vendin; CHP-ja është parti socal-demokrate, më e vjetra në vend, e themeluar nga legjendari Kemal Ataturk.
Nën drejtimin e Kilicdaroglusë, opozita e bashkuar turke arriti një sukses spektakular në zgjedhjet vendore në vitin 2019, kur pas një periudhe të gjatë « pushtoi » qytetet më të mëdha, mes tyre Stambollin e Erdoganit, Ankaranë, etj. Kësisoj, CHP-ja ka ngjallur shumë shpresa dhe pritshmëri për një fitore të mundëshme në zgjedhjet e ardhëshme presidenciale dhe parlamentare 2023.
Në pamje të parë, nuk tingëllon normale që lideri i opozitës së bashkuar të një vendi të madh si Turqia apo dhe Kryetari i Bashkisë së Stambollit të ftojë një President Republike. Mirëpo, realisht, dihet se Presidenti Meta ka qenë dhe mbeti deri në fund « opozita » e vetme efektive ndaj pushtetit. Dhe më kryesorja, pas 24 Korrikut ai ka konfirmuar se do të jetë sërish në fushën e betejës politike.
Ndërkohë, opozita turke, e cila me mbështetjen dhe të SHBA-ve dhe BE-së synon të « pushtojë » më në fund dhe Presidencën, kërkon me të drejtë të ketë aleatët e saj në Ballkanin Perendimor, duke filluar nga vendi ynë. Në analizat e saj politike, asaj mesa duket i rezulton se Ilir Meta është personaliteti më i përshtatshëm si partner, ca më tepër që më 24 Korrik do të heqë « kostumin presidencial ».
Veç sa sipër, liderët e opozitës turke nuk janë përmendur dhe as kanë patur ndonjë kërkesë për takim, qoftë dhe për mirësjellje, me liderin e shumicës sonë parlamentare, Edi Ramën, madje as kurr ka qenë në opozitë, edhe pse ky i fundit ka qenë shpesh në Turqi ; siç ka vepruar me të drejtë në Gjermani dhe gjetkë. Ka arsye që të bëjnë të mendosh se miqësia e tij e ngushtë personale me Presidentin Erdogan ka patur ndikimin e vet të ndjeshëm në këtë qëndrim. Madje, kur sheh shkëmbimet e vizitave dhe mesazheve të tyre, të duket sikur dy vendet nuk kanë njeri dhe faktor tjetër, veç Erdogan dhe Rama. Sa për opozitën, median, shoqërinë civile, ato potbhuajse nuk janë përmendur.
Nga ana tjetër, doli qartë se vizita e Metës në Turqi nuk kishte të bënte me ndonjë revansh apo « hakmarrje » ndaj Erdoganit, i cili gjatë vizitës më të fundit në Tiranë disa muaj më parë nuk e takoi homologun e vet. Përkundrazi, në të gjitha veprimtaritë në Stamboll, gjuha dhe komunikimi i Presidentit Meta ishte tejet korrekt politikisht, pa nëntekst, nënkuptime dhe insinuata, kryefjala e tyre ishte kudo miqësi dhe mirëkuptim!
▼
▼
Gjithsesi, me këtë vizitë në Stamboll, Meta ia « hodhi Erdoganit me lezet « topin përpara portës« në fushën e tij; themi kështu sepse sipas rregullave elementare protokollare, edhe pse jo detyruese në këtë rast, i takonte këtij të fundit të « luante topin », me një fjalë, t’i thoshte « bujrum » Presidentit të një vendi miqësor dhe vëlla në Ankara ose Stamboll, qoftë dhe për një çaj diplomatik!
Gjithashtu, kjo vizitë dhe veçanërisht takimet me dy liderët kryesorë të opozitës turke, njëherazi sfidantë të Erdoganit dhanë një mesazh të fortë politik dhe institucional për më shumë larmi tematike në marrëdhëniet dypalëshe, të shoqëruar me respekt ndaj aktorëve të tjerë madhorë politikë në Tiranë, sidomos opozitës, pavarësisht nga gjendja e saj e momentit.
Ca më tepër kur bëhet fjalë për Ilir Metën, i cili, duam, s’duam, mbetet ndër aktorët dhe faktorët më të fuqishëm politikë dhe shtetërorë në 30 vitet e fundit. Dukuri të tilla « embargoje » të kujtojnë disi praktika të shëmtuara moniste, kur dënoheshe dhe po t’i jepje dorën, le më t’i thoje « shëndet » një amerikani apo sovjetiku, me të cilin mund të qëllonte të ishe ulur në të njëjtën tryezë!
Pjesën më të madhe të fajit për këto precedentë negativë të përsëritur, të cilët cënojnë imazhin tonë institucional, brenda dhe jashtë vendit e kanë mikpritësit shqiptarë ; ata i vendosin në pozita të vështira edhe partnerët tanë, të cilët, në kësi rastesh, nuk dijnë « kujt t’ia prishin dhe kujt t’ia ndreqin » Inatet dhe mëritë politikanët tanë mund t’i mbajnë brenda, por jo t’i shfaqin jashtë vendit.
Në vijim, ashtu si në funksionet e mëparshme të larta, edhe si President, krahas aspektit ceremonial dhe protokollar, dmth takimeve me homologët dhe mikpritësit, në vizitat e tij, Ilir Meta veç metropoleve shkon dhe në qytete e rajone me peshë, ku gjithmonë takohet me përparësi me komunitetet e bashkëatdhetarëve. Kështu ka ndodhur me vizitat zyrtare dhe të punës në Itali, ku pas takimeve në Romë me Presidentin Mattarela, Meta ka shkuar në Venecia dhe sidomos në rajonet arbëreshe dhe gjetkë, duke qenë i pranishëm në evente dhe veprimtari të shumta. Këtë e kemi parë muajt e fundit dhe në Shkup, Sofje, Zagreb, Prishtinë dhe gjetkë, ku ka qenë i ftuar për vizita zyrtare ose pune.
Këtë praktikë ndoqi dhe në vizitën në Stamboll, ku pati një takim entusiazt me shumë përfaqësues dhe aktivistë të Shoqatës « Vatra » dhe të diasporës në përgjithësi. Le ta themi se me ndonjë përjashtim, asnjë lider tjetër dhe Edi Rama në Turqi nuk kemi dëgjuar të ketë takuar përfaqësues të diasporës në këtë mënyrë të organizuar dhe institucionale. Për rrjedhojë, në Turqi, Ilir Meta e zgjeroi më shumë gjeografinë politike të këtyre vizitave.
Dikush mund të thotë, « e mo, mirë, por vetëm opozitën takoi »! Po, por kjo është më e rëndësishmja, sepse Qershorin tjetër në Turqi do të zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare dhe presidenciale; ku gjasat më të shumta janë që opozita « t’i lajë hesapet » më në fund me Erdoganin. Konkretisht, mikpritësi i Metës, Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu është kandidati më popullor dhe në sondazhet më të fundit renditet i pari, duke lënë pas ku e ku Erdoganin, krahas dy kandidatëve të tjerë të fuqishëm të opozitës, e cila këtë radhë është e vendosur ta mundë Erdoganin, duke dalë me një kandidat të vetëm. Rikujtojmë se Imamoglu në prill 2019 fitoi mbas 25 vjet « sundimi » të AKP-së së Erdoganit Bashkinë e Stambollit më 15 million banorë ! Mirëpo, kjo fitore nuk u « gëlltit » dot nga pushteti qëndrr atje që i anulloi ato zgjedhje dhe organizoi një raund tjeër në Qershor të atij viti. Pikërisht aty ndodhi mrekullia, mbasi Imamoglu fitoi 800.000 vota më shumë, duke e « nxjerrë jashtë » loje Bildirimin e Erdoganit. Madje, Ai fitoi dhe Rize, lagjen ku ka lindur dhe është rritur Erdogani. 52 vjeçari Imamoglu, një mega buldozer elektoral, konsiderohet « ylli » i social – demokracisë turke. Atë e gjen të pranishëm dhe në vende, forume dhe evente ndërkombëtare, falë dhe jehonës së Stambollit, si nje metropol i madh ndërkombëtar.
Natyrisht që fitorja e pritshme e opozitës do të shtojë ndjeshëm edhe mundësitë për shtrirjen e bashkëpunimit shqiptaro-turk edhe me median, shoqërinë civile, grupet interesit, arsimin, kulturën, etj, që pse të mos e themi kanë mbetur prapa për shkak dhe të kufizimeve të njohura.
Po ashtu, fitorja e opozitës do të çlirojë të dy vendet tona por jo vetëm dhe nga disa pengesa serioze, sidomos lidhur me qëndrimin ndaj gjylenistëve, rolin dhe ndërhyrjen e fesë, çështjet e komunitetit mysliman, etj.
Le të theksojmë me këtë rast se lëvizje të tilla diplomatike parapritëse si kjo e tanishmja janë në « ADN-në e Ilir Metës, si « artizan » dhe partizan i farkëtimit të lidhjeve të qëndrueshme ndërkombëtare. Krahas liderëve të shumë vendeve të tjera perendimore, qysh në rininë e hershme politike dhe në vazhdim Ilir Meta ka qenë mbështetës i vazhdueshëm i miqësisë dhe bashkëpunimit me Turqinë, me personalitete dhe përfaqësues të forcave politike në pushtet dhe në opozitë, shoqërisë civile atje, etj.
Po sjellim me këtë rast në vëmendjen e lexuesit se në mesin e viteve 90, kur ishte në opozitë, ai vendosi lidhje me Partinë e Majtë Demokratike Turke të ish-Kryeministrit emblematik Bulent Eçevit. Në atë periudhë, fare të pakta ishin gjasat që ky i fundit të rivinte në pushtet mbasi ishte rrëzuar tri herë. Mirëpo, ja që në vitin 1999 deri më 2002, kur Meta ishte Kryeministër, Eçeviti fitoi papritur zgjedhjet dhe u bë kryeministër i një qeverie koalicioni; ndërkohë, marrëdhëniet e tyre miqësore dhe personale të nisura qysh kur ishin zv.kryeministra u forcuan më tej dhe në vijimësi, në interes të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy popujve dhe vendeve tona.
Ja pse mund të thuhet se vizita e Ilir Metës në Stamboll i jep vërtet një dimension të ri dhe çel perspektiva të reja në miqësinë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve tona aleate dhe zbatimin e komponentëve të rinj me karakter Euro-Atlantik. Kjo vizitë dëshmon se miqësia dhe marrëdhëniet tradicionale shqiptaro-turke në të gjitha fushat nuk janë vetëm « pronë » e pushtetit, por dhe e shtetit, e opozitës, dhe në përgjithësi e shoqërisë në të dy vendet tona.
Forcimi i mëtejshëm i këtyre marrëdhënieve është kontribut me vlerë për stabilitetin dhe paqen në rajon dhe realizimin e objektivave tona të përbashkëta madhore. Dihet tashmë se Turqia dhe autoritetet e saj më të larta na janë ndodhur gjithmonë pranë me solidaritet dhe bujari; kjo u pa dhe kohët e fundit pas Tërmetit tragjik të 26 Nëntorit 2019 dhe krizës së koronës. Spitali i Fierit dhe blloku i banesave në Laç janë dy dëshmitë më të fundit domethënëse të kësaj fryme miqësore, jo thjesht dhe vetëm midis liderëve dhe shteteve, por dhe midis popujve.
Gjithsesi shihet qartë se ato janë personalizuar së tepërmi, aq sa po identifikohen më së shumti me dyshen Erdogan – Rama se sa Shqipëri – Turqi. Padyshim që miqësia personale politike midis liderëve të dy vendeve është me rëndësi jetike për mbarëvajtjen e punëve. Por, siç i thonë fjalës, “gjella me kripë dhe kripa me karar“, sidomos kur ke të bësh me liderë të shteteve të tilla të mëdha.
Ja pse, vizita e Ilir Metës në Turqi dhe takimet e tij me liderët më të lartë të opozitës së bashkuar turke, veçanërisht tani që në horizontin diplomatik shqiptaro-turk po shfaqen shenja krisjeje, është për t‘u vlerësuar si një mesazh pozitiv premtues për kapërcimin e çdo pengese, për zgjerimin dhe diversifikimin e miqësisë dhe bashkëpunimit shqiptaro-turk në të gjitha nivelet dhe planet. Dr. Jorgji Kote Argumentum.al
► BesaTime është portal interneti i Shtypit të Lirë, i Mendimit Ndryshe dhe Respektues i Etikës dhe Prencipeve të Shtypit. Ka për qëllim tju përcjellë të Interesuarve drejtë për së drejti; Lajmin, Informacionin, Analizen, Studimin, Kërkimin, Raportin e vërtetë dhe të pa-anshëm, në fushen; Strategjike, Politike, Ekonomike, Sociale, Diplomatike, Kulturore, Artistike, Sportive si dhe në çdo temë tjetër që i përket njeriut.
► BesaTime operon në fushën e informacionit dhe të shtypit në gjuhen Shqip, Turqisht dhe Anglisht, është e pavarur, nuk ka lidhje me asnjë organizatë, parti apo lëvizje politike, financohet vetëm nga themeluesit e vet. Është vazhdimësi e Think Tank Besa Strategy. Në përgjithësi vepron në të gjithë Botën, Bashkimin Evropian dhe Ballkanin. Në veçanti tregon intensivitet për çështje që kanë të bëjnë me Shqiptarët në Rajon dhe Turqinë. BesaTime në të njëjten kohë është portal ku Diaspora dhe Lobi Shqiptar në Turqi publikon.
►BesaTime është rrjet shqiptar i lajmeve, analizave dhe i mendimit strategjik, me seli në Izmir, Turqi. Rrjeti filloi pune më 28 nentor 2002 dhe mbulon lajmet botërore nga një këndvështrim objektiv. Çdo artikull i publikuar në portal mund të mos përputhet me idetë tona dhe për këtë arsye përgjegjësia i takon vetëm autorit.
► Kryeredaktori: Dr. Sokol Brahaj
Dizajn: CAN ARNAVUT - Kontakt: canarnavut@yandex.com